lajm

U mbajt sesion informues rreth “Dhunës me bazë gjinore”

31/05/2018

Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkalike, Egjiptase, të Kosovës "RROGRAEK", më datë 31.05.2018 në Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin e Mjekësisë mbajti sesione informuese.

Temë kryesore e këtyre sesioneve informuese ishte “Dhuna me bazë gjinore” por u fol edhe për trafikimin e qenieve njerëzore, shpërndarjen e këtyre dukurive nëpër botë etj.

Ata treguan se sipas hulumtimeve, dhuna në baza gjinore është dëshmuar të jetë më e vështirë: përhapja dhe format e saj dallojnë në mënyrë të theksuar në bazë të përkufizimit të dhunës së bazuar në gjini. U cek që vlerësohet se ndërmjet 8 dhe 70 përqind të grave në botë i janë nënshtruar së paku njëherë në jetë dhunës psikologjike dhe fizike nga partnerët burra. Ndërsa në Kosovë, të dhënat nga Policia e Kosovës-Drejtoria për Krime të Rënda del se nga numri i përgjithshëm, 81 % janë raste të dhunës ndaj femrës dhe kjo përqindje krahasuar me një vit përpara është një rritje për 2 %. Dallimet në vlerësim të shkallës së dhunës mund të jenë edhe për shkakun e përqindjes relativisht të ulët të grave të cilat i raportojnë rastet e dhunës ndaj tyre. Sipas tyre raportimi i ulët ndodh për shkakun e stigmatizimit, turpit dhe faktorëve tjerë shoqërorë dhe kulturorë të cilat kanë ndikim në vendimet e grave të viktimizuara për të raportuar rastet.