Emërohen prorektorët e rinj në Universitetin “Fehmi Agani”, Prof. Ass. Dr. Nazli Tyfekçi dhe Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku

Emërohen prorektorët e rinj në Universitetin “Fehmi Agani”, Prof. Ass. Dr. Nazli Tyfekçi dhe Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku

Sot zyrtarisht në Universitetin “Fehmi Agani” filluan punën Prorektorja për bashkëpunime ndërkombëtare dhe projekte Prof. Ass. Dr. Nazli Tyfekçi dhe Prorektori për hulumtime dhe kërkime shkencore, zhvillim akademik dhe ngritje të cilësisë Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku.

Rektori Bunjaku i uroi prorektorët për detyrën e re dhe shprehu bindjen dhe besimin e plotë që profesionalizmi, potenciali, eksperienca dhe vullneti janë sinonime të menaxhmentit të ri të Universitetit “Fehmi Agani” dhe se bashkërisht do të kontribuojnë për ngritjen e cilësisë, hulumtimit shkencor, zgjerimin e rrjetëzimit dhe lartësimin e Universitetit.

 

Më poshtë janë biografitë e shkurtra të prorektorëve:

Prof. Ass. Dr. Nazli Tyfekçi

Nazli Tyfekçi, e lindur në vitin 1977 në Prizren, është pedagoge e dalluar në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Gjakovës "Fehmi Agani"  që nga viti 2015. 

Rrugëtimi arsimor i Dr. Tyfekçiut është shembull i një angazhimi të palëkundur ndaj dijes. Ajo fitoi titullin Ph.D. nga Universiteti Shën Kiril dhe Metodi në Maqedoninë e Veriut. Themeli i saj akademik u hodh në Universitetin e Prishtinës, ku kreu studimet magjistrale dhe studimet bachelor. Interesimet e saj kërkimore përfshijnë fushën e metodologjisë gjuhësore në përgjithësi dhe të metanjohjes si metodologji leximi në veçanti si dhe dygjuhësinë në mjedise multikulturore duke filluar nga teoria deri te dizajnimi dhe zbatimi.

Dr. Tyfekçi shquhet në botën e akademisë për një përvojë të pasur në fushën e arsimit dhe kërkimit. Për katër vjet ka  udhëhequr me sukses Departamentin e Gjuhës Angleze në Fakultetin e Filologjisë. Kontributi dhe ekspertiza e saj ishin thelbësore për zhvillimin dhe suksesin e këtij departamenti.

Përveç angazhimeve akademike, Dr. Tyfekçi është themeluese dhe kryeredaktore e revistës shkencore ndërkombëtare “Revista për edukim social dhe shkenca ndërdisiplinore” të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë. Gjithashtu, në rolin e Kryeredaktorit, udhëheq Revistën Shkencore Ndërkombëtare "Prizren Social Science Journal".  Ajo ka organizuar edhe një sërë konferencash për UFAGJ-në dhe është redaktore në disa revista të njohura kombëtare e ndërkombëtare. Përvoja e saj e pasur në komitetet e programeve të seminareve është një tregues shtesë i përkushtimit të saj për të promovuar shkëmbimin dhe diskutimin akademik. Ndërkohë, që nga viti 2016, ajo është drejtore ekzekutive e OJQ-së “Shoqata e Shkencëtarëve dhe Intelektualëve të Kosovës”.

Dr. Tyfekçi ka qenë pedagoge vizitore në Hungari dhe Turqi, duke ndarë ekspertizën dhe përvojën e saj me studentë dhe kolegë në mjediset ndërkombëtare.

Në vitin 2021 është dekoruar me mirënjohjen për performancën më të mirë si mësimdhënëse për Fakultetin e Filologjisë në UFAGJ.

Së fundmi Dr. Tyfekçi shërbeu si U.D. e Prorektorit për Bashkëpunim dhe Projekte Ndërkombëtare në UFAGJ, nga ku ka nxitur bashkëpunime të shumta me universitete dhe institucione ndërkombëtare, duke pasuruar mjedisin akademik në UFAGJ.

-------------------------------------------------------------

Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku

Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku PhD është mësimdhënës në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Gjakovë, përderisa studimet bazë i kreu në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, drejtimi Fizioterapi. Masterin e parë e përfundoi në Universitetin Mjekësor të Tiranës, përderisa të dytin në Universitetin e Prishtinës (programi “Trajnimi i Trajnerëve” i financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe nën udhëheqjen e një konzorciumi universitetesh Evropiane). Studimet Doktorale i kreu në Shkollën Doktorale “PhaNuSpo” në Universitetin e Vjenës në Austri ku mori titullin Doktor i Filozofisë (PhD). Tema kryesore e interesit shkencor është fiziologjia e plakjes, fiziologjia e muskulit dhe gerontologjia. Poashtu është autor/bashkautor i 21 publikimeve në revista ndërkombëtare (https://orcid.org/0000-0003-4343-9366), prej të cilave 16 sosh në platformën SCOPUS (Scopus Author ID: 57192372957) si dhe 2 monografive profesionale shkencore. Ndër studimet e dalluara, në kuadër të “Platformës së Plakjes Aktive” të Universitetit të Vjenës, Dr. Boshnjaku ka eksploruar faktorët biologjik, gjenetik e socio-epidemiologjik që ndikojnë në jetëgjatësinë e pritur në lindje te të moshuarit në Kosovë.

Dr. Boshnjaku është koordinator shtetëror i Kosovës në Rrjetin Evropian të Fizioterapisë në Edukimin e Lartë (ENPHE) dhe anëtar i grupit shkencor të kësaj organizate. Në anën tjetër ka qenë përgjegjës për hartimin të kurrikulave të programit baçelor, zhvillimit të lëndëve të ndryshme akademike në programet e UFAGJ, programit asistent i fizioterapisë në Qendrat e Kompetencës në nivel të Kosovës, dhe tashmë në udhëheqje të ekipës për zhvillimin e programit master në fizioterapi. Për më tepër, z. Boshnjaku ka një ekspertizë të gjerë në projekte të ndryshme shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe për ndërtimin e kapaciteteve, duke qenë udhëheqës/ekspert lokal i 3 projekteve shkencore të financuara nga fonde të treta, dhe 2 projekteve për ndërtimin e kapaciteteve.

Fotot e lajmit

tp-bottom