U prezantuan rezultatet e punës kërkimore shkencore në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë

U prezantuan rezultatet e punës kërkimore shkencore në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë

Me datën 7 mars 2024, në shenjë nderimi për Ditën e Mesuesit në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, u organizua një aktivitet për prezantimin e rezultateve të dy projekteve nga udhëheqësi i tyre, Prof. dr. Lulzim Zeneli.  Titujt e projekteve ishin:

  1. Kontaminimi i Qumështit me Metale të Rënda dhe Biomarkerët e Efekteve: Kontaminimi dhe Vlerësimi i Rrezikut;

  2. Ndotja e Mjedisit me Azbest dhe Materialeve me Përmbajtje Azbesti (MPA) – Efektet Toksike.

 

Projekti i parë trajton çështjen e kontaminimit të qumështit me metale të rënda, një problem i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin publik. Duke përfshirë një analizë të thellë të përmbajtjes së makroelementeve dhe mikroelementeve esenciale në qumësht, si dhe përcaktimin e përmbajtjes së metaleve toksike si Kadmiut (Cd) dhe Plumbit (Pb) në zonën e fshatrave të Obiliqit, gjetjet tregojnë se përmbajtja e këtyre dy metaleve të rënda tejkalonte vlerat e lejuara sipas Standardeve të Federatës Ndërkombëtare të Qumështit (IDF Standard 1979) dhe sipas Komisionit Codex Alimentarius (2007). Ky zbulim shërben si një sinjal i rëndësishëm për nevojën e masave urgjente për të mbrojtur shëndetin e komunitetit lokal dhe për të përmirësuar praktikat bujqësore në zonën e prekur, si dhe për zhvillimin e politikave për mbrojtjen e konsumatorëve. Ky projekt u financiua nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Në anën tjetër, projekti i dytë fokusohet në ndotjen e mjedisit me azbest dhe materialet që përmbajnë azbest. Azbesti është një material i rrezikshëm që mund të shkaktojë shumë probleme shëndetësore, duke përfshirë sëmundje të organeve të frymëmarrjes dhe kancerin e mushkërive. Përmes identifikimit të efekteve toksike të ndotjes së mjedisit me azbest, ky projekt ofron një bazë të rëndësishme për zhvillimin e strategjive për të mbrojtur shëndetin e publikut dhe për të promovuar një mjedis të pastër.

Këto projekte nuk janë të rëndësishme vetëm për fushën shkencore, por edhe për të rritur vetëdijesimin e shoqërisë për rëndësinë e një ushqimi të shëndetshëm dhe mbrojtjen e mjedisit. Përmes rezultateve të këtyre studimeve, informacioni i nevojshëm mund të përhapet në mënyrë që të ndikojë në politikat dhe sjelljet e konsumatorëve, duke promovuar një mjedis më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për të gjithë.

Pjesëmarrës në këtë prezantim ishin edhe kryesuesja e Këshillit Drejtues, Znj. Majlinda Haxhikadrija Ramadani, rektori i UFAGJ, Profesor Drilon Bunjaku së bashku me Prorektorët, Nazli Tyfekçi dhe Arben Boshnjaku. Rektori në fjalimin e tij përshëndeti dhe uroi profesorin Zeneli për iniciativën dhe kontributin e tij për shkencën dhe universitetin, dhe ndër te tjera tha se  Universiteti UFAGJ, si një institucion i përkushtuar për zhvillimin shkencor dhe akademik, përmbush rolin e tij duke promovuar dhe mbështetur aktivitetet dhe iniciativat që kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe të universitetit në tërësi. Përveç kësaj, inkurajoj stafin akademik të universitetit të angazhohen në projekte të tilla, duke ofruar mbështetjen institucionale dhe resurse për të ndihmuar në arritjen e suksesit në çdo kohë.

 

Fotot e lajmit

tp-bottom